
TIRANË – Një efektiv që punonte në Gardën e Republikës u përjashtua nga radhët e institucionit, pasi ka deklaruar se ka përdorur aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po shikon mundësinë e përgatitjes të një tjetër formulari, që do u dërgohet subjketeve vetëdeklaruese, për subjekte të tjera, që dyshohet se nuk janë përdorur vetëm nga krimi.
Formulari për vetëdeklarimin e përdorimit të aplikacioneve të enkriptuara Sky Ecc dhe Enchro Chat ka “djegur” kështu zyrtarin e parë. Nga rreth 13 mijë subjekte të agjencisë së mbikqyrjes policore në radhët e uniformave blu, gardës së republikës dhe shërbimit zjarrëfikës, vetëm njëri tha se ka përdorur një aplikacion të enkriptuar. Ai është gardisti Adnan Lleshi.
Zyrtari që është përjashtuar ka pasur për detyrë sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë. Dosjet që po hetohen nga SPAK, ku rezulton se në hetimet për Sky Ecc rezulton se janë implikuar 1 ose 2 punonjës policie, ka bërë që AMP të shikojë mundësinë e përgatitjes të një formulari shtesë, me aplikacione të tjera, që mund të jenë përdorur, për qëllime të paligjshme.
Ndër to është edhe aplikacioni “Matrix”, për të cilin, bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka thënë se e ka përdorur për një periudhë të gjatë, për të pasur komunikime të sigurta, për qëllime kriminale. SPAK ka bërë edhe goditjen e parë sa i përket grupeve kriminale, që kanë përdorur Skyy Ecc. Struktura e Posaçme arrestoi ish-drejtorin e Policisë së Tiranës Erzen Breçani dhe shefin e krimeve në komisariatin 6, Dedan Gjonin, si dhe shpalli në kërkim Ervin Matën dhe djalin e Erzen Breçanit, Eralbi Breçanin, pas zbërthimit të aplikacionit të enkriptuar./ZËRI/