
TIRANË- Arrestimi i Evis Berberit me urdhër të SPAK, lidhet me manovrat që ai ka bërë me bizneset në pronësi të tij, të cilat në letra figuron se i ka shitur në palë të treta, përpara se të merrte detyra në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Përpara se të merrte një post këshilltari në MIE, dhe më pastaj të emërohej në krye të ARRSH-së, Berberi dyshohet se ka shitur në mënyrë fiktive bizneset e tij, për të cilët SPAK ka prerë gjithashtu fletëarrest.
Vetë Berberi në cilësinë e drejtorit të ARRSH-së, i ka dhënë tendera ish-kompanisë së tij. Në deklaratën e pasurisë, Berberi ka deklaruar të ardhura nga kompania “B-Vaal Engineering” (aktualisht “Net-Group”) si Drejtor Teknik dhe të ardhura nga kompania Daam (ish “B-Vaal Eng – 1”) si Administrator i shoqërisë.
Nga të gjitha këto lëvizje rezulton se Berberi e ka blerë kompainë Daam, për shumën e 800 eurove, dhe më pas është rishitur disa herë, duke kapur vlerën e transaksioneve me vlerë 1.7 milionë euro.
Sipas Ekstraktit Historik të Kompanisë “Daam” shpk me NIPT: L72205042F, z. Evis Berberi ka qenë zotërues i shoqërisë “Daam” shpk për 100% të kapitalit, për periudhën Shtator 2018 – Janar 2019, duke e blerë atë nga themeluesi Valter Begaj (i arrestuar gjithashtu me urdhër të SPAK).
Më pas në datën 32 Janar 2019, kuotat e kompanisë shiten te Brunula Buli, e cila gjithashtu i shet aksionet e saj te Valter Begaj, dhe më pas ky i fundit ia shet Ervis Lamit. Dhe më pas çudia ndodh sërish, rreth një muaj nga shitja, Begaj i rible aksionet që vetë i kishte shitur në datën 29.03.2022.
E gjithë kjo shitje dhe blerje e aksioneve dyshohet sipas SPAK që të jetë bërë në mënyrë fiktive, me qëllim fshehjen e gjurmëvë të vetë Berberit. Ish-zotërues të “Daam” shpk, Brunilda Buli dhe Ervis Lami nuk figurojnë aktualisht pronarë në asnjë subjekt juridik./ZËRI