Aktualitet

DYSHIMET/ Tritol për konkurrentët...porositësi ishte biznesmeni? I vdiq miku në det, mister roli i Erdion Muhos...

Shënjestra ishte mjeti lundrues i "Saranda Express", pronar i të cilës është Andrea Qirjako.

k.m.
DYSHIMET/ Tritol për konkurrentët...porositësi ishte biznesmeni?
Armandi Nelaj dhe Erdion Muho


SARANDË- Zbardhja e vdekjes së Armandi Nelajt në Sarandë ka ngritur shumë pikëpyetje të tjera lidhur me ngjarjen. Sipas Prokurorisë së Vlorës, e cila ka zbardhur atë që ndodhi mbrëmjen e qershorit, Nelaj dhe Erdion Muho, kishin punuar së bashku për të vendosur tritol në anijen e kundërshtarit të tyre. Shënjestra ishte mjeti lundrues i "Saranda Express", pronar i të cilës është Andrea Qirjako.

"Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.,"-njofton Prokuroria e Vlorës, duke i dhënë kështu fund misterit të vdekjes në det.

Por ende nuk dihet sesi është arritur pakti për të vendosur tritolin. Në momentin kur ndodhi shpërthimi në det, në media u raportua se i vdekur kishte mbetur një biznesmen, ndaj po verifikohej edhe pista e një atentati të mundshëm ndaj tij. Por sot, ka një tjetër version që qarkullon. Raportohet se 52-vjeçari është një zhytës, i cili thjesht ka marrë porosinë nga miku i tij që donte të dëmtonte kundërshtarin. 

Megjithatë është e paqartë sesi Nelaj është gjendur në skenarin e ndërtuar për të vendosur lëndën plasëse që i mori edhe jetën. Po ashtu, e paqartë është nëse 35-vjeçari Muho ka qenë me të në det në momentin që ka ndodhur shpërthimi. E nëse po, nuk dihet sesi i ka shpërtuar paq forcës së shpërthimit që copëtoi trupin e Nelajt në det, e që më pas u gjet në ujë nga turistë që kalonin me varka në det. 

I vetmi person gjallë që mund të dëshmojë dhe t'i japë fund pikëpyetjeve lidhur me këtë ngjarje është vetëm biznesmeni Muho. Ajo që tregon mund të caktojë edhe akuzën që do të ngrihet ndaj tij. Sot cilësohet si bashkëpunëtor, por në fakt mund të jetë vetëm porositësi i vendosjes së tritolit. Deri më tani, këto detaje janë të paqarta./ZËRI

Poll

MOS HUMB