ELBASAN- Beteja me vatrat e zjarrit vijon edhe në qarkun e Elbasanit, ku aktualisht janë në monitorim dy vatra. Situata më problematike paraqitet në Malin e Dardhës, ku zjarri është aktiv prej 8 ditësh.
Megjithatë, sipas informacioneve nga terreni, zjarri është izoluar në masën 90%, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet në të paktën 6 hektarë.
Në operacionin e djeshëm për shuarjen e zjarrit në Malin e Dardhës, në një zonë me terren jashtëzakonisht të vështirë, u angazhuan 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës si dhe 3 punonjës të sektorit pyjor.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Mjekës të Elbasanit janë vënë nën kontroll. Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit konfirmoi se zjarri në Mjekës është shuar plotësisht.
Megjithatë, forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm./ZËRI