
LEZHË- Dy operacione antidrogë janë zhvilluar në Lezhë dhe janë kapur rreth 200 kg kanabis. 5 persona kanë rënë në pranga gjatë operacioneve ‘Procesi’ dhe “Furia”, pasi kishin përshtatur dy magazina për kultivimin e kanabisit. Një prej tyre u zbulua nga blutë e Lezhës në fshatin Shtuf të Mirditës. Në një banesë të pabanuar, u sekuestrua 108 kilogramë kanabis. Për rastin e parë u arrestuan 4 persona, Pjetër Çurgu 27 vjeç, Artur Moli 39 vjeç, Preng Moli 71 vjeç, dhe Mark Moli 67 vjeç.
Ndërkohë, në fshatin Gjonbardhaj në një stallë bagëtish u gjetën 92 kilogramë kanabis dhe u arrestua Gjovalin Marku, 46 vjeç.
VIDEOJA E AKSIONIT:
NJOFTIMI I POLICISË:
Gjatë 24 orëve të fundit u finalizuan në Mirditë dhe Lezhë dy operacione të koduara“Procesi”dhe “Furia” për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit. Vihen në pranga 5 shtetas. Sekuestrohet 200 kilogramë kanabis. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, bazuar dhe në informacionet marra në rrugë operative se në fshatin Shtuf, Mirditë dhe në fshatin Gjobardhaj, Lezhë, disa persona kishin përshtatur magazinat për tharje dhe përpunim të kanabisit, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Lezhë , organizuan dhe finalizuan dy operacione policore. 1- Në kuadër të operacionit “Procesi” në fshatin Shtuf, njësia administrative Kaçinarë, Mirditë, pasi gjatë kontrollit në një banesë të pabanuar u gjetën qindra bimë në proces tharje me peshë totale 108 kilogramë kanabis. Në vijim të operacionit , u arrestuan në flagrancë shtetasit: P.Ç. 27 vjeç, A.M, 39 vjeç, P.M, 71 vjeç, dhe M.M, 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë, Kaçinar, Mirditë, të dyshuar si autorë të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit që u gjet në proces tharjeje. 2-Ndërsa në kuadër të operacionit “Furia” në fshatin Gjonbardhaj, Kashnjet, gjatë kontrollit të ushtruar në një stallë bagëtish, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 92 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. M. 46 vjeç, banues në Shkodër. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto dy raste të veprimtraisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit. materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI