
TIRANË- Dronët Bayraktar, kanë mbërritur në Shqipëri. Të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, ata do të jenë në dispozion të forcave shqiptare të mbrojtjes. Lajmi është dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, ku në njoftim thuhet se prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.
“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.
Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sa i përket dronëve TB2, ata kanë një hapje krahësh prej 12 metrash dhe mund të lëshojnë bomba për të shkatërruar tanket dhe artilerinë me ndihmën e një lazeri. TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Dronët “Bayraktar” janë të pajisur me 4 raketa dhe pesha maksimale e dronit bombardues është deri në 650-700 kg.
/ZËRI