TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme mbahet sot seanca paraprake për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe tre personave të tjerë. Ish deputetja dhe ish kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka mbërritur paraditen e sotme në ambientet e GJKKO-së, ku pritet të bëjë mbrojtjen dhe të depozitojë kërkesat e saj para trupës gjykuese.
Kryemadhi është shfaqur me energji dhe buzëqeshje, teksa ka ndalur për mediat, duke shkëmbyer batuta dhe ironi. Siç e ka bërë 'zakon', Kryemadhi i pyeti gazetarët dhe operatorët rreth spektakleve apo emisioneve ku ajo është e pranishme së fundmi.
“Mirëmëngjesi të gjithëve, tani po ikim drejt një beteje ligjore shumë domethënëse. Çfarë mendimi keni për Big Brother? Po iki tani, shihemi së shpejti”, u shpreh Monika Kryemadhi.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI