TIRANË-Është zbardhur kërkesa e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta në SPAK, sa i takon çështjes së “21 Janarit”. Meta ka kërkuar të pyetet si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me protestën e "21 Janarit", ngjarje ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Në kërkesën e dorëzuar në SPAK, Meta arsyeton se duhet të pyetet pasi sipas tij ‘ka dëshmi që nuk janë të njohura nga organi i procedurës'.
“I nderuar z. Prokuror! Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, ka regjistruar procedimin penal dhe po kryen hetime lidhur me ngjarjen e 21 janarit 2011. Unë, Ilir Rexhep Metaj, duke qënë se, kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshëme për rrethanat e asaj ngjarje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues, të cilat mund ti shërbejnë për të zbardhur ngjarjen. Jam në dispozicion të organit procedurës në cdo moment që ajo do jetë e gatshme!”, thuhet në kërkesë.
Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës. Pas protestës, Meta u largua nga detyra si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm pas publikimit të videos me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh. Së fundmi në Prokurorinë e Posaçme janë thirrur për të dëshmuar dhe ish-ministri i Brendshëm i asakohe Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI
