
TIRANË- Në seancën që është duke u mbajtur në Gjykatën e Posaçme, pas ish-ministrit Fatmir Mediu kanë dëshmuar dhe dy ushtarakë që kanë pasur role drejtuese në kohën kur ka ndodhur shpërthimi, që iu mori jetën 26 personave.
Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo, kanë dhënë sqarime mbi rolet dhe pozicionet që ata kanë mbajtur, dhe kanë sqaruar se pse demontimi i armëve nuk është kryer në Bërzhitë.
Në fillim të dëshmisë së Bardhyl Hoxhës, ish-ushtaraku u njoh nga prokurorët e çështjes me një memo të përpiluar prej tij në dhjetor të 2006, ku drejtoria që ai drejtonte i përgjigjej një fax-i të ardhur nga kompania amerikane, SAC.
Ajo propozonte që demontimi i municioneve të bëhej në Bërzhitë. Ndërkohë përgjigjja sipas drejtorisë logjistike i ishte kthyer në harkun kohor të 24-48 orëve, shkak sipas Hoxhës ishte që Bërzhita nuk ishte vend i përshtatshëm pasi ishte pranë banesave dhe rrugës kryesore si dhe depot nuk ishin të licensuara për te kryer këtë proces.
“Të pranishëm kanë qenë Sokrat Papadhima, specialist, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe një jurist. Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar”.
Nga ana tjetër, Sula ka deklaruar se ka nisur punë në Gërdec, pasi ishte i papunë. Ai ka pohuar se ka parë më sytë e tij që zjarri ka nisur në një karrocë, që sipas tij ka pasur 2 thasë me barut.
Ai ka lënë të nënkuptohet me dëshminë e tij se shpërthimi në Gërdec ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor.
"Punova vetëm 2 javë aty, kur pashë situatën që në fillim thashë se nuk do punoja më shumë se një muaj. Ditën e ngjarjes ishin 60 punonjës në fabrikë, dikush bërtiti “baruti u ndez”. Pashë flakt mbi karrocën që sapo ishte salduar. Pranë karrocës ishin 4 kontejnerë me barut, kishe dhe më shesh. Djali që po e shtynte karrocëm vdiq, ne u shtrimë në tokë, nëse do të ishte kapur në kohë do ishte hedhur ujë, dhe do ishte fikur zjarr”, ka thënë Sula.
Më herët dëshmoi për herë të parë para gjykatës së Posaçme dhe ish-ministri Fatmir Mediu, i cili u zhvesh nga çdo përgjegjësi ligjore për shpërthimin në Gërdec. Duke iu kërkuar ndjesë familjarëve të viktimave të Gërdeëcit, Mediu tha se dorëheqja e tij si ministër u mor si një akt dobësie, dhe jo si një akt moral që ai ndjente teksa mbante pozicion politik.
/ZËRI