
MALI I THATË- Prej 9 ditësh, Mali i Thatë në Pustec vazhdon të jetë nën ‘pushtetin’ e flakëve. Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve për të izoluar flakët gjatë natës, vatra e zjarrit është përhapur më shumë. Flakët, të favorizuara nga era kanë zbritur më poshtë në drejtim të Goricës dhe kanë marrë më shumë terren në pyll.
Gjithashtu mbërritën në vendin tonë dy avionët nga Rumania, të cilët do të ndërhyjnë në vatrat kritike. Ekuipazhet rumune do të qëndrojnë për 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuccovës dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile do të angazhohen në zjarret problematike.
"Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit. Dy avionët vijnë në vendin tonë, si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t'u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike.
I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira.
Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J (Spartan), që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve si dhe tjetri C-130 (Hercules), i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim", njoftoi ministria e mbrojtjes.
Zjarrfikësit po bëjnë të pamundurën për të parandaluar zjarrin që mos të arrijë në Parkun Kombëtar të Prespës, por një pjesë e kurorës së gjelbër tashmë është shkrumbuar. /ZËRI