
KUKËS- Një 60-vjeçar është arrestuar nga Policia për dhunë në familje në Kukës. Autoritetet bëjnë me dije se ai ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe kanoste fëmijët me armë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia sekuestroi 3 armë zjarri dhe municion luftarak.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas njoftimit se një shtetas ushtronte dhunë ndaj familjarëve të tij dhe i kanoste ata me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 60 vjeç, banues në fshatin Arrën. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S. dhe në vendin afër banesës, ku ai u kap në flagrancë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia. /ZËRI