TIRANË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një kopsht privat në Tiranë, ku një edukatore 32-vjeçare është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije vetëm 2 vjeç.
Rasti u denoncua nga babai i të miturit, i cili pasi vuri re shenja në fytyrën e djalit e dërgoi menjëherë në spital për ekzaminime. Mjekët konstatuan mavijosje në faqe dhe skuqje në veshë, ndërsa më pas ai iu drejtua policisë.
Gjatë marrjes në pyetje, edukatorja ka pranuar se e kishte goditur fëmijën me shpullë, duke deklaruar se të miturin nuk po e zinte gjumi dhe kishte humbur durim. Po sipas burimve, edhe nga pamjet filmike ka rezultuar që edukatorja 32-vjeçare ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës 2 vjeçar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, njofton policia./ZËRI