
TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar këtë të mërkurë në lidhje me dhunimin barbar të avokatit Sokol Mëngjesi në Tiranë. KShH shprehet se akte të tilla krijojnë një perceptim të rrezikshëm për shoqërinë dhe rendin publik, se jeta dhe shëndeti janë të pasigurtë. KShH bën thirrje për hetime të shpejta dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa i uron shërim të shpejtë Mëngjesit.
Reagimi:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me anë të medias për aktet e rënda të dhunës ndaj Prof. Sokol Mëngjesit, Pedagogut të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, njëkohësisht me profesion Avokat. Këto akte kanë ndodhur teksa po dilte paraditen e sotshme nga kopshti ku kishte shoqëruar fëmijën e tij.
Jeta e kujtdo është e çmuar dhe shteti ka detyrimin pozitiv për ta mbrojtur atë. Askush nuk ka të drejtë kryejë akte të dhunshme që dëmtojnë shëndetin dhe vendosin në rrezik jetën e kujtdo. Akte të tilla përveç se të dëmshme, krijojnë një perceptim të rrezikshëm për shoqërinë dhe rendin publik, se jeta dhe shëndeti ynë është e pasigurt.
Vlen të theksohet se solidariteti ndaj akteve të tilla të dhunshme që prekin dhe kërcënojnë figurën, jetën dhe shëndetin e funksionarëve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë apo çdo profesionisti nuk mjafton.
KShH në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për hetime të gjithëanshme, efektive dhe të zhvilluara në kohë të arsyeshme si dhe dënim të fajtorëve. Si rrjedhojë, KShH është i mendimit se organet e drejtësisë, të ndihmuara në kohë nga autoritetet e specializuara ligjzbatuese mund të kontribuojnë pozitivisht në parandalimin efektiv të përgjithshëm e të posaҫëm të këtyre veprave penale. Ndaj në përfundim, KShH i uron Prof. Sokol Mëngjesit shërim të plotë e të shpejtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë kopshtit 31, në zonën e ish-Bllokut ku avokati sapo kishte çuar fëmijën. Tre agresorët të veshur me zëza dhe me kapele, i zunë pritë, teksa Sokol mëngjesi po lëvizte në këmbë, në një zonë të frekuentuar nga shumë qytetarë e të mbuluar me kamera sigurie dhe e goditën disa herë në kokë duke e lënë pa ndjenja. Si pasojë e dhunës avokati Sokol Mëngjesi ka pësuar dy fraktura pas koke dhe dëmtime te zona e ballit për shkak të dhunës së ushtuar ndaj tij mëngjesin e sotëm. Po ashtu ai ka pësuar një hemorragji të vogël në tru. Gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ndodhet në intubim. /ZËRI