
TIRANË- Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka paralajmëruar se do të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore dhe penale. Në një njoftim zyrtar për mediat, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës shkruan se nga data 3 Qershor deri më 7 Qershor, nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë gjyqësore pasi avokatët nuk lejohen të hyjnë në gjykatë, por të presin jashtë me palët dhe me kundërshtarët. Sipas Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës, kjo gjë mund të çojë në përplasje dhe nxitje të konflikteve mes palëve. Në fund të njoftimit, theksohet se të gjithë avokatët që do ta shkelin këtë vendim dhe do të marrin pjesë në seancat gjyqësore, do të procedohen nga Komiteti i Disiplinës.
Njoftimi i plotë:
Pas ezaurimit të të gjitha mundësive për zgjidhjen e problemit së lënies së Avokatëve jashtë ambienteve të Gjykatës Shkallës Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Durrës, si dhe mbledhjes së jashtëzakonshme të anëtarëve të Dhomës së Avokatisë Durrës, Kryesisë së Dhomës dhe Komitetit Drejtues, Dhoma e Avokatisë Durrës ka marrë vendimin për:
“…Bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore civile dhe penale”.
Përjashtim nga ka ky bojkotim bëjnë pjese vetëm seancat gjyqësore për masat e sigurimit, zëvendësimin dhe shuarjen e tyre. Ky vendim ka efekt për datat 03.06.2024 – 07.06.2024, periudhë gjate ose pas së cilës dhoma do të dalë me një vendim të ri. Sqarojmë se të gjithë avokatët të cilët do të rezultojnë se kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore për të cilat me këtë vendim është bërë bojkotimi i tyre, Komiteti i Disiplinës do fillojë procedim administrativ ndaj tyre.
