ELBASAN- Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan natën e 30 nëntorit. Ai u qëllua me gjashtë plumba në kokë nga një person i armatosur, ndërsa ndodhej në makinën e tij tip Range Rover pranë karburantit të tij, “Xhaxhi Oil”.
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar se në ditën e krimit, Mëhalla kishte kaluar drekuar me familjen e tij në fshatin Synej të Kavajës. Pas drekës, ai i kishte kthyer ata në shtëpi, pranë Gjykatës së Elbasanit, dhe kishte shkuar në biznesin e tij. Pasi përfundoi punën me financat e biznesit, ai doli nga karburanti dhe hipi në makinën e tij. Në ato momente, një tjetër makinë u afrua me shpejtësi dhe një person i veshur me të zeza zbriti nga automjeti dhe e qëlloi 6 herë në kokë. Mëhalla ka ndërruar jetë në vend, si pasojë e plagëve të marra.
Sipas hetimeve, personi që ka kryer atentatin është një shtetas i huaj, identifikuar si Oliver E. Ky i fundit ka ikur nga vendi i krimit me një “Audi” të kompanisë së viktimës. Dyshohet se ai ka pasur një bashkëpunëtor në timon, Nevzat Spaho nga Prrenjasi, i cili është arrestuar dhe ka mbajtur masën "arrest me burg" nga Gjykata e Elbasanit.
Punonjësi i karburantit "Xhaxhi Oil", Kujtim Pisha, ishte i pari që ka mbërritur në vendngjarje dhe ka parë makinën e dëmtuar dhe trupin e pajetë të Mëhallës. Pisha ka pohuar se e ka konsideruar zhurmën e armës si zhurmë fishekzjarresh, dhe ka menduar se Mëhalla mund të ishte goditur me sende të forta, por më pas ka kuptuar se ishte qëlluar me armë. Ai thotë se ka njoftuar vëllain e viktimës dhe ortakun e tij, Xhino Agon, ndërkohë që policia është lajmëruar nga punonjësja e një taksie. Aktualisht Pisha po mbahet në burg për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Prokuroria e Elbasanit po vijon hetimet dhe ka përqendruar kërkimet për gjetjen e shtetasit të huaj Oliver E., si dhe për zbardhjen e rolit të Nevzat Spahos në krim. Policia ka gjithashtu vënë në dyshim se Spaho mund të ketë ndihmuar në evakuimin e atentatorëve.
Ai rezulton i dënuar më parë nga gjykata e Elbasanit për akuzën e "Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie" dhe "Mbajtje pa lejë të armë". Në vitin 2022 Nevzat Spaho ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3 mijë eurosh.
Në lidhje me ekzekutimin, Policia ka vënë në pranga edhe Xhino Agon, ish-ortakun e Mëhallës, i cili akuzohet se iu ka dhënë hua mjetin dy prej autorëve të përfshirë në ngjarje.
Nga ana tjetër, vëllai dhe motra e viktimës, Aldo Buzhani dhe Brunilda Mëhalla, kanë deklaruar se marrëdhënia e familjes së Mëhallës me Xhino Agon ka qenë shumë e mirë, duke e konsideruar atë si pjesë të familjes. Xhino Agon është ortaku i Mëhallës dhe ata nuk kanë pasur asnjë konflikt me të. Hetimet për vrasjen e Mondi Mëhallës vijojnë dhe pritet që të dalin më shumë detaje lidhur me motivet dhe organizimin e atentatit./ZËRI