FIER- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me krimin e rëndë brenda familjes në fshatin Kuman, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip pushke bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, më pas dyshohet se ka vrarë edhe veten.
Djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në Polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë. Ai është shprehur se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve, kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtepise.
Pas kësaj, 80-vjeçari është acaruar duke i thënë djalit “Pse u hedh pleh patateve” konflikt banal që ka përfunduar në komisariatin e Roskovecit, ndërkohë që nëna e tij Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit. Pasi është kthyer nga Fieri, djali i ka gjetur të pajetë në banesë, ku fillimisht ka telefonuar një kushëri dhe më pas Policinë.
Bëhet me dije se arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që prej vitit 1997, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë./ZËRI