
TIRANË- Seanca e parashikuar të mbahet këtë të martë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dështuar. Shkak është bërë mungesa e prokurorit të çështjes. Ky i fundit do të sillte në seancë informacionin mbi hetimet për zyrtarët e arrestuar të Bashkisë së Tiranë. Ndërkohë seanca e radhës është parashikuar të zhvillohet më 29 prill në orën 12:00.
Avokati Ermal Yzeiraj, i cili përfaqëson të arrestuarin Namik Simixhiu, ish-anëtar i komisionit të prokurimit të inceneratorit të Tiranës, ka paraqitur kërkesat për klientin e tij në GJKKO. Ai shprehet se klineti i tij është me një veshkë që prej vitit 2011 dhe ka kërkuar që të merret rekomandim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që Simixhiu të kryejë kontrolle mjekësore, përkundrejt pagesës përkatëse e kërkesës zyrtare të mbrojtjes.
Yzeiraj shton se pavarësisht kërkesës së bërë, prej katër muajsh Burgjet nuk kanë kthyer përgjigje. Mungesa e kësaj përgjigjie, shton avokati mund të sjellë pasoja të rënda në shëndetin e Simixhiut.
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi mbrëmjen e 8 dhjetorit ku u lëshuan 15 urdhër-arreste, mes tyre dhe dy biznemenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Po ashtu urdhër-arresti u lëshua dhe për drejtorin e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha. Arrest në burg u caktua për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Bledar Karolin, Taulant Tushëm e Namik Simixhiu. Ndërsa në “arrest shtëpie” u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi dhe Silena Tola./ZËRI