
TIRANË- ZËRI disponon dosjen e plotë që çoi në dënimin e Brown por duke pasur qëllim rizgjimin e ndjesisë së poshtërimit që viktimat kanë përjetuar në atë kohë, nuk do të publikojë dëshmitë e plota, por do të ndalet në vetëm disa pika, thelbësore në procesin e Brown, i cili edhe sot nuk pranon të ketë prekur asnjë fëmijë me dorë.
Përgjatë procesit, Brown nuk ka folur kurrë për abuzime në shtëpi, prej tij apo personave të tjerë të stafit të qendrës. Brown ka theksuar se në shtëpi mbizotëronte rregulli dhe se, i kishte kontroll të padiskutueshëm, jo vetëm mbi fëmijët por, edhe mbi stafin që punonte në shtëpinë e "Fëmijëve të tij".
Edhe pse e cunguar, dëshmia e Brown gjatë procesit tregon se në asnjë moment ai nuk pranon të ketë abuzuar me fëmijët. Sipas tij, fëmijët janë abuzuar por jo prej tij, por nga ish-punonjësi i fondacionit "Fëmijët e tij" me emrin D. Ch..
Ai hodhi poshtë dëshmitë e viktimave në proces duke akuzuar një nga fëmijët që dëshmoi kundër tij si një person me çrregullime të shëndetit mendor.
“Dëshmia e A. Q. është e pabesueshme. Ai vuan nga çrregullime mendore, sëmundje që i ka ardhur për shkak se në moshën 2-vjeçare ka rënë nga një lartësi prej 4-katësh.”
E megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën.