
TIRANË- Pasi Kuvendi miratoi ditën e djeshme (21 mars) ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga Rithemelimi, të hënën (25 mars) në orën 11:00 pritet të mbahet mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi.
Kryetarja e komisionit Albana Vokshi informon se mbledhja e parë do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 mars 2024, ora 11.00 në Kryesinë e Kuvendit.
“Pas miratimit në Seancën Plenare të Kuvendit, datë 21.03.2021, bazuar në ligjin “Për Organizimi dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi" do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 mars 2024, ora 11.00 në Kryesinë e Kuvendit”-thuhet në vendimin e kryetares Vokshi.
Në seancën e zhvilluar një ditë më parë në Kuvend u miratua komisioni hetimor për 2 koncesionet në shëndetësi me 95 vota pro dhe një abstenim nga deputeti Erion Braçe. Ndërsa komisioni për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS u miratua me 96 vota pro dhe një abstenim nga deputeti i PS, Petro Koçi./ZËRI