SHBA- Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e fundit për klimën e biznesit në Shqipëri, duke theksuar se vendi ynë po përballet me sfida të mëdha në këtë sektor.
Në raport thuhet se Shqipëria vazhdon të ketë probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, çka ndikon negativisht në klimën e përgjithshme të të bërit biznes. Sipas analizës së DASH, sistemi gjyqësor i dobët, mungesa e transparencës, korrupsioni, pastrimi i parave nga krimi dhe ekonomia informale po dëmtojnë bizneset, duke shtrembëruar zinxhirët e konkurrencës në treg.
Gjithashtu, raporti thekson se bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale. Edhe pse qeveria shqiptare ka ndërmarrë përpjekje për të rritur transparencën në tenderime përmes platformës “Open Procurement” dhe dixhitalizimit të shërbimeve publike, por realiteti në terren mbetet problematik.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga DASH në këtë raport lidhet me mënyrën e zbatimit të kontratave të partneritetit publik-privat (PPP), ku thuhet se shumica e tyre janë hartuar pa analizë të thelluar dhe me mungesë të ekspertizës profesionale. Kjo ka kufizuar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj dhe ka krijuar terren për favorizime.
Por analiza për klimën e biznesit nuk ndalet këtu.
Në raport thuhet se si të huajt, ashtu edhe shtetasit vendas, përballen me vështirësi serioze për marrjen e titujve të pronësisë. Një tjetër problem i evidentuar është edhe lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i reformës në drejtësi. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë nisur tashmë punën, por raporti vlerëson se ky është një proces që po ecën me ritme të ngadalta.
Investimet direkte nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri arritën në 382 milionë dollarë në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, DASH thekson se kjo shumë mbetet ende e ulët dhe përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të kapitalit të huaj në vend, për shkak të klimës së pasigurt për investitorët.
Departamenti Amerikan i Shtetit realizon çdo vit një raport të plotë dhe të detajuar për klimën e investimeve, i cili ofron informacion mbi mjedisin e të bërit biznes në më shumë se 160 ekonomi të botës.