
TIRANË- Pamjet që po shihni tregojnë ambientet brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku po shqyrtohet dosja "Partizani", për të cilën ka rënë në pranga dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit siç shihet në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet i tensionuar.
Ndërkohë përballë tij qëndron Arben Kraja, prokurori i dosjes së tij dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme. Seanca u shty me dy orë pasi avokatët kërkuan më shumë kohë për tu njohur me provat.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës u arrestua në aeroportin e Rinasit më 21 korrik në mbrëmje. Më 17 nëntor 2020, ish-kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla kishte ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai