Aktualitet

Census/ Reagon Kisha Ortodokse: Të dhëna jo reale, qytetarët nuk u pyetën për përkatësinë fetare

Sipas Kishës regjistruesit nuk i kanë pyetur të intervistuarit për përkatësinë fetare, duke shtuar se kanë evidencë të dokumentuar për këtë.

f.t
Census/ Reagon Kisha Ortodokse: Të dhëna jo reale, qytetarët nuk
foto ilustruese

TIRANË-Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2023 në Shqipëri, vijojnë të sjellin reagime. Këtë herë ka qenë Kisha Ortodokse, e cila ka reaguar në lidhje me rezultatet e censit të vitit 2023 duke thënë se përqindja e numrit të të krishterëve ortodoksë, nuk pasqyron në të vërtetë realitetin. Sipas Kishës regjistruesit nuk i kanë pyetur të intervistuarit për përkatësinë fetare, duke shtuar se kanë evidencë të dokumentuar për këtë.

REAGIMI:

Rezultati i Censit 2023, në lidhje me përqindjen e numrit të të krishterëve orthodhoksë, nuk pasqyron në të vërtetë realitetin. Kjo ka ndodhur për disa arsye, ndër të cilat do të përmendim disa :Regjistruesit, në shumë raste, nuk i pyesnin të intervistuarit për përkatësinë fetare.

Kemi evidencë të dokumentuar se një numër i madh besimtarësh nuk u intervistuan, sepse nuk u vizituan nga asnjë regjistrues. Sipas regjistrave tanë të pagëzimeve tregohet qartë se numri i të krishterëve orthodhoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens. Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; orthodhoksët 22.3% dhe katolikët 10%.

Ndonëse pyetja për besimin fetar ishte fakultative, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar prej 332 155, të ateistëve 85 311, të atyre që preferuan të mos i përgjigjen 244 331 dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm 134 451 – në total 796 248 – afërsisht 1/3 e popullsisë, dëshmon për pasaktësinë e këtij Censi.

Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës

Shifrat e besimeve fetare sipas Censit 2023:

Mysliman – 1.101.718

Mysliman-Bektashi 115.644

Krishterë-katolikë 201.530

Krishterë – Ortodoks 173.645

Ungjillorë – 9658

Tjetër besim – 3670

I pacilësuar – 332.155

Ateist – 85.311

Nuk përgjigjen – 244.331

Nuk disponohet – 134.451

Poll

MOS HUMB