TIRANË-Një skemë e mirëorganizuar mashtruese përmes call-centerave në Tiranë, përmes së cilës synohej përfitimi i shumave të mëdha nga qytetarë të huaj, është goditur nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Disa nga personat e përfshirë në këtë rrjet, përfshirë administratorë, janë identifikuar, ndërsa vijon puna për kapjen e drejtuesve kryesorë të tij.
Sipas dosjes hetimore, skema është ngritur nga Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj. Këta të fundit, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e call centerve mashtrues që autoritetet goditën së fundi në Tiranë.
Nga hetimet është dokumentuar edhe roli i tyre në rrjetin e call centerave.
Xhoni Hitaj rezulton i arrestuar më parë për "vrasje me dashje", të mbetur në tentativë. Hitaj administronte 2 call center-a mashtrues të goditur të hënën nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Në njërin prej tyre, në atë të në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative”, dyshohet se ndodhej edhe zyra e bosit të këtij rrjeti, Granit Pepnika, i cili nuk është kapur. Jo vetëm kaq. Hita është dhe administratori i call center që u zbulua pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”, ndërsa me QKB ne emër të tij ka edhe subjekte të tjera, por hetuesit dyshojnë se janë fiktive.
Marsel Lami rezulton të ketë qenë administrator i disa call centerave të regjistruar në QKB me emra të ndryshëm, në periudha të ndryshme nga viti 2023-2025. Sipas hetuesve, këto adresajanë fiktive, për të humbur gjurmët, pasi në të vërtetë, siç rezultuan nga kërkimet në teren, aktiviteti zhvillohej në vende të tjera nga ato të deklaruara.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto call center, gati 3 vjet.
Hetuesit zbuluan disa operatorë që dyshohej se punonin në call center, të cilët u vunë në përgjimë telefonik, por edhe me pajisjen gjurmuese të vendndodhjes IMSI Catcher, me qëllim lokalizimin e adresave të sakta ku dyshohet se ushtrohej veprimtaria e call centerave. Vështirësia hetuesve për t’i gjetur zyrat ishte pikërisht prej adresave të gabuara me të cilat subjektet regjistroheshin në QKB.
Nga rezultatet e këtij vëzhgimi punonjëset u panë të shkojnë në call centerin te Rruga e Kavajës, dhe atë pranë Kopshtit Zoologjik.