
LAÇ- Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme në autostradën Laç-Mamurras. Raportohet se një makinë tip BMW, e cila drejtohej nga Egli Babasi ka përplasur për vdekje një këmbësor. Ky i fundit ende i paidentifikuar. Policia bën me dije se ka arrestuar shoferin. Ndërkohë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe për identifikimin e viktimës.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lezhë. Aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar, vihet në pranga 21-vjeçari. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:10, në autostradën “Laç-Mamurras”, automjeti me drejtues shtetasin E. B., ka përplasur një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar. Si pasojë e përplasjes, këmbësori rreth 60 vjeç, ka ndërruar jetë. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 21 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Vijon puna për identifikimin e shtetasit që humbi jetën si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej nga shtetasi E.B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI