
PUKË- Shtatë automjete janë bllokuar në aksin rrugor Iballë-Fushë Arrëz. Në këtë zonë ndodhen dy mjete borëpastruese dhe një fadromë që po punojnë për hapjen e rrugës. Nga ana tjetër, autoritetet po punojnë për evakuimin e drejtuesve të mjeteve të bllokuara dhe të pasagjerëve që ndodheshin brenda tyre.
Ata raportohet se ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë dërguar në një vend të sigurtë.
Situata paraqitet problematike në të gjithë vendin. Reshjet e dëborës kanë paralizuar veriun e vendit. Mësohet se problematike paraqitet situata në Rrugën e Kombit dhe Rrugën e Arbrit. 10 automjete janë bllokuar pranë Urës së Vashës në Rrugën e Arbrit. Reshje bore kanë rënë edhe në qarkun e Shkodrës, ku disa akse janë problematike.