
SARANDË-Blegtorët e jugut duket se nuk do të dorëzohen. Sot ata kanë vijuar të protestojnë në vendin e quajtur Ura e Kardhiqit. Ata kanë dalë kundër Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve të tjera që kanë për detyrë kontrollin e prodhimit blegtoral dhe kompanive të perpunimit.
Blegtorët thanë se fabrikat dhe baxhot kanë paracaktuar një çmim tejet të ulët për qumëshin. Sipas tyre, një litër qumësht shitet me 120 lek, gjë e cila nuk justifikon shpenzimet dhe as mundin e tyre. Ata paralajmëruan se do të përshkallëzojnë protestat nëse zëri i tyre nuk dëgjohet nga Ministria e Bujqësisë.
"Shqetësimi ynë është, që në punojmë natë e ditë dhe kafshët i kemi lënë brenda. Na i ulin çmimet nga ora në orë nga dita në ditë. Kemi dy muaj që japim qumësht dhe lekë nuk kemi marrë. Lekët do i marrim, por çmimet po ulen dita ditës. Nga vjet e deri në sivjet na është ulur me 30 lekë. Është gjynah të tallen me mundin tonë. Përfitojnë 5 veta, ndërsa 500 veta punojnë kot. Po të ulin djathin, kafen të gjitha le të ulin edhe qumështin. Pronarët na kërkojnë edhe taksat dhe të paguajmë kullotat. Të gjitha janë bërë private, biznes më vete dhe pak lek që na takojnë nga shteti për kafashët, gjysmat na i hedhin gjysmat nuk na i hedhin. Ne kot sa punojmë, më mirë të ikim nga ky vend kemi familje, nuk jemi vetëm,”- tha një prej protestuesve.
Prej kohësh blegtorët dhe fermerët po përballen me problem të shumta. Blegtorët kërkojnë rinegocim të çmimit të shitjes së qumështit, rigjenerimin e kullotave, restaurimin e veprave ujore malore, lerava e pritave, rregullimin e tregut të shitjes së mishit si dhe dyfishimin e subvencionit për krerë të të imëtave./ZËRI