
KORÇË- Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar prej disa ditësh në Malin e Thatë, në afërsi të kufirit shtetëror më Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht vatrat janë të veçuara nga njëra-tjetra dhe zjarri po mbahet në kontroll.
Zjarri është në një territor të thyer dhe në një distancë të largët nga zonat e banuara. Prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm të gjitha forcat janë angazhuar në terren. Në terren ditën e sotme kanë zbritur rreth 70 forca, te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.
E gjithë sfida është që të mos preket bimësia e lartë. Forcat po bëjnë të pamundurën për të izoluar flakët dhe ngushtuar perimetrin. Sipërfaqja e djegur deri tani me përafërsi është 200 hektarë, pjesa më e madhe me kullota./ZËRI