
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ka mundur që të shkojë në homazhet që po mbahen në Kuvend për ish-deputetin Gerti Bogdani. Në 'emër' të familjes Berisha kanë shkuar bashkëshortja e tij, Liri Berisha dhe e bija, Argita Malltezi. Pas homazheve, Liri Berisha, ka folur për mediat, ku ka shprehur ngushëllime për vdekje e ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani.
“Asgjë nuk ka vlerë në këto momente përveç jetës së tij që iku. Dua të shpreh ngushëllimin për prindërit e të ndjerit, të kalojnë momentet e vështira me Edlirën para të cilës dalin detyra të rënda. Shpreh ngushëllimet për miqtë dhe familjet. Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri e respekt,"- u shpreh ajo.
Gerti Bogdani u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare, ndërsa po zhvillonte një takim me disa miq të tij në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ishte familja e Bogdanit, bashkëshortja e tij, aktivistja Edlira Çepani, ata që lajmëruan se ceremonia e lamtumirës për politikanin do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës./ZËRI