Aktualitet

Dumani "plas bombën": Drejtues të Policisë bashkëpunëtorë me krimin e organizuar (VIDEO)

Altin Dumani tha se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, por nuk mund të veprojnë me ta për të hetuar çdo çështje.

k.m.
Dumani "plas bombën": Drejtues të Policisë
Nuredin Dumani

TIRANË- Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të SPAK para KLP-së, ka bërë sot një nga deklaratat më tronditëse. Në fjalën e tij, Dumani tha se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, por nuk mund të veprojnë me ta për të hetuar çdo çështje. Kjo pasi, në disa raste, hetimet kanë zbuluar se disa eksponentë të lartë të Policisë së Shtetit rezultojnë se kanë bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale. 

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër,"-tha Dumani para KLP-së.

Ndër të tjera Dumani ngriti shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit”, tha Dumani.

Ndërkohë në raportin e publikuar nga SPAK për vitin 2023 rezulton në bazë shifrash se telefonat e 1899 personave janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që 1436 persona janë përgjuar për korrupsion. Gjithashtu janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB