Aktualitet

Banorët në protestë për resortin në Velipojë, "Gener 2": Nuk i kemi cënuar askujt pronën!

Lidhur me punimet për resortin turistik "Blue Borgo", kompania pretendon se asnjë prej banorëve nuk i është cënuar e drejta e pronësisë.

k.m.
Banorët në protestë për resortin në Velipojë,
Foto ilustruese

TIRANË- Kompania "Gener 2" ka bërë një reagim zyrtar, një ditë pas protestës së banorëve të fshatit Rrjoll në Velipojë, të cilët u përplasën me efektivët e Policisë së Shtetit. Lidhur me punimet për resortin turistik "Blue Borgo", kompania pretendon se asnjë prej banorëve nuk i është cënuar e drejta e pronësisë. Ndër të tjera, kompania 'Gener 2' thekson se në çdo fazë të projektit kanë respektuar me korrektësi të gjitha normat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë këtu edhe dëgjesat publike me banorët e zonës. Sipas tyre, çdo informacion tjetër ka për qëllim dezinformimin e publikut.

“Kompania Gener 2 garanton se gjatë këtij procesi nuk i ka cënuar askujt të drejtat e pronësisë dhe asnjë të drejtë tjetër, por është mbështetur vetëm në vendimet e çertifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Çdo pretendim tjetër lidhur me pozicionin tonë për projektin “Blue Borgo” është një spekullim i pastër, pa asnjë lidhje me të vërtetën, të cilin e konsiderojmë një deformim të qëllimshëm ose jo, që thjesht dhe vetëm dezinformon publikun. Kompania Gener 2 mbetet plotësisht e angazhuar në realizimin në kohë dhe në cilësi të projektit “Blue Borgo” në përputhje të plotë me standartet më të mira bashkëkohore dhe në respekt të plotë me të gjitha procedurat ligjore të Republikës së Shqipërisë,”- thuhet ndër të tjera në reagimin e kompanisë.

Ditën e djeshme, duke u përplasur me efektivët e Policisë, banorët e zonës kërkuan ndalimin e punimeve duke pretenduar se pronat e tyre po përvetësoheshin përmes dokumenteve të falsifikuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB