Aktualitet

Banka e Shqipërisë ‘merr në dorë’ fatin e kredimarrësve të MCA dhe FINAL! Presin ankesat e klientëve

Krahas njoftimit të bërë për heqjen e licensës për këto dy institucione mikrofinanciare, Banka e Shqipërisë njoftoi se do të dalë me një vendim të dytë për të zbuluar se si do të veprohet me kreditë që kanë marrë qytetarët në këto institucione. 

k.m.
Banka e Shqipërisë ‘merr në dorë’ fatin e
Foto ilustruese

TIRANË- "Micro Credit Albania" dhe "Final" tashmë nuk mund të operojnë më në Shqipëri! Dje, pas një kalëvari të gjatë denoncimesh nga ZËRI, Banka e Shqipërisë vendosi që t'u hiqte licencës. Kjo edhe sepse po dje, për herë të parë pati një shpjegim të qartë nga Prokuroria e Tiranës se çfarë ka ndodhur me "klientët" e këtyre institucioneve; janë zhvatur! Krahas njoftimit të bërë për heqjen e licensës për këto dy institucione mikrofinanciare, Banka e Shqipërisë njoftoi se do të dalë me një vendim të dytë për të zbuluar se si do të veprohet me kreditë që kanë marrë qytetarët në këto institucione. 

Lidhur me këtë pikë që ende nuk është vendosur, "Report Tv" bën me dije se aktualisht në zyrat e "Micro Credit Albania" dhe "Final" janë nën kontrollin e punonjësve të Bankës së Shqipërisë. Nuk dihet për sa kohë, por punonjësit e BSH-së do të presin ankesat e klientëve lidhur me detyrimet që kanë ndaj dy institucioneve në fjalë. Më pas, të gjitha dosjet, bashkangjitur me ankesat e klientëve, do të kalojnë në Departamentin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë për veprime të mëtejshme.

“Me revokimin e licencës së këtyre dy SFJB-ve më datë 23.5.2024, Banka e Shqipërisë ka alokuar tashmë punonjësit e saj pranë ambienteve të këtyre subjekteve. Në rast se klientët kanë ankesa apo kërkesa specifike lidhur me detyrimet ndaj këtyre dy subjekteve, apo për mënyrën si do të operohet më tej, mund t’i depozitojnë ato me shkrim pranë punonjësve të Bankës së Shqipërisë në vend, ose drejtpërdrejt në Bankën e Shqipërisë nëpërmjet adresës [email protected] dhe këto ankesa/kërkesa do të shqyrtohen dhe do të adresohen në çdo rast. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po kryen verifikimet e nevojshme dhe sapo të saktësohen detajet përkatëse do të kryejë të gjitha komunikimet e duhura, siç është theksuar edhe në njoftimin për shtyp që kemi publikuar më datë 23.5.2024,”- ka bërë me dije Banka e Shqipërisë për Report Tv.

MCA kishte në total 15.942 klientë, ndërsa FINAL kishte 16.600 klientë. Pra në total dy kompanitë 32,542 klientë, nga të cilët 90% e tyre kishin pasuritë e tyre në sekuestro preventive.

Dje me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, 9 persona u vendosën në masë sigurie, disa në burg e disa të tjerë në shtëpi, pasi akuzohen për disa vepra penale. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Çfarë është skandali i mikrokredive?

Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB