
ITALI- Një bandë e mirëorganizuar kishin një qëllim: të grabisnin sa më shumë apartamente në ditë. Grupi i shqiptarëve "skifterë" ishin të fokusuar për të marrë çfarë të gjenin në provincat e Milanos, Monzas dhe Vareses. 4 persona janë arrestuari, i pesti jo. Saimir (mbiemri nuk dihet), një 38-vjeçar shqiptar, ndërroi jetë më 20 tetor për shkak të një aksidenti rrugor. Makina e tij - një fuoristradë "Stelvio Quadrifoglio", e vjedhur dhe me targa false- rrëshqiti dhe përfundoi përmbys në anë të rrugës. Brenda kishte para, sende të vjedhura të një grabitjeje dhe drogë. Katër bashkëpunëtorët e Saimirit u arrestuan dje gjatë një aksioni të koordinuar nga prokurorja Milda Milli.
Në pranga përfunduan: 41-vjeçari Andrea Alija, i njohur si “Bledi”; 34-vjeçari Ermal Damzi; Kristian “Kristi” Filopati 30 vjeç dhe 32-vjeçari Sajmir Damzi, i njohur si "Miri". Të katër grabitnin shumë apartamente në ditë, kryesisht në provincat e Milanos, Monzës dhe Vareses. Për momentin, katër shqiptarët, të gjithë me precedentë penalë, akuzohen se kanë kryer 17 grabitje në vetëm 15 ditë, mes 14 dhe 28 tetorit. Por për hetuesit, ka dyshime se banda ka bërë edhe "dëme" të tjera.
Në Busto Arsizio është alarmi që i bën të ikin nga banesa ku ishin futur.
“Do ta kishim hapur kasafortën! Do kishim kapur bingo”,- ankohet njëri. Ndërsa tjetri e sqaron se po të kishin qëndruar më shumë, pronarët e shtëpisë mund t'u kishin njoftuar "të zinjtë" (term i përdorur rëndom për efektivët e Policisë). Bisedat e tyre janë siguruar pasi Policia i ka përgjuar teksa komunikonin me "walkie-talkie".
Fillimisht identifikonin zonën dhe banesat që kishin fikur dritash, pastaj bëheshin gati për aksion.
“E shihni që e para dhe e treta i kanë dritat ndezur, e dyta i ka të fikura, të betohem se duhet të jetë ndonjë miliarder. Është një vendbanim që...,”-janë disa nga bisedat e tjera mes tyre që ka përgjuar Policia. Pasi zgjidhin banesën ku do futeshin, dy nga "alpinistët" u ngjitën lehtësisht nga ulluqet e banesave dhe futeshin brenda nga dritaret. Sa herë bastisnin para, orë dhe xhevahire ishte "Miri", drejtuesi i grupit, ai që kujdesej që t'i kthente në të holla./ZËRI