
TIRANË- ZËRI vijon me investigimin e skemës së mirëorganizuar mes kompanisë Ritello dhe institucionit financiar Iute Credit. Këtë herë, ZËRI ka kontaktuar menaxherin Besmir Kurti dhe agjentët e kompanisë Ritellos, të cilët mashtruan qytetaren që denoncoi pranë redaksisë tonë. Por, siç funksionon një ‘bandë’, edhe punonjësit e kësaj kompanie nuk morën përsipër asnjë përgjegjësi për të gjithë mashtrimin që kanë kryer duke detyruar qytetaren në fjalë që të marrë kredi tek Iute Credit për të blerë pajisjen “Ritello”.
Besmir Kurti, një nga menaxherët e kompanisë Ritello nuk pranon përgjegjësinë për shitjen e pastruesit të ajrit që kryen dhe funksionin e fshesës me korent. Pavarësisht se një zonjë, në një rrëfim me zë dhe figurë rrëfeu për ZËRI-n se agjentët Kleant Shehu dhe Helena Sheganaku, Kurti thotë se nuk kanë mashtruar askënd.
Besmir Kurti: Ne nuk mashtrojmë njeri
Fillimisht, ai mohon të ketë shkuar në orën 21:00 në shtëpinë e denoncueses, por më pas përgënjeshtron veten duke thënë se kontrata mund edhe të jetë nënshkruar në atë kohë.
ZËRI: Në orën 09:30 të darkës, keni qenë në shtëpinë e zonjës.
Besmir Kurti: Jo, jo, nuk është e vërtetë. Në orën 09:30 ne nuk kemi orare. Po kemi marrëdhënie me bankën deri në orën 11:00 të natës.
Kurti mohon gjithashtu që të ketë dalë garant për menaxhimin e vendosjes së këstit mujor dhe mospagesën e kamatëvonesave, pavarësisht se dokumentet dhe mandatet e pagesës së qytetares që denoncoi në zyrën e ZËRI-t, tregojnë të kundërtën.
Besmir Kurti: Absolutisht nuk ka kamatëvonesa.
Besmir Kurti: Jo, nuk ka kamatëvonesa, nuk është e vërtetë.
ZËRI: Zoti Kurti kemi mandatpagesat.
Besmir Kurti: Klienti e merr produktin me zero përqind interes.
ZËRI: Me zero përqind interes, por jo me zero përqind kamatëvonesa.
Besmir Kurti: Nëqoftëse klienti nuk është korrekt me pagesat, normalisht që…
ZËRI: Ju i keni thënë që nuk do të kesh as kamatëvonesa, mund ta paguash kur të duash sepse ne do të flasim me Iute-n. Absolutisht nuk është e vërtetë.
Bisedën ai e mbyll duke pranuar që ka klientë të pakënaqur dhe se nuk mund tu japë llogari të gjithëve.
Besmir Kurti: Ne nuk do të merremi me të gjithë klientët që ka Shqipëria.
ZËRI kontaktoi dhe me dy agjentët Kleant Shehu dhe Helena Sheganaku. Sheganaku deklaroi se ndodhej në spital dhe nuk dha asnjë koment.
Helga Shaganaku: Të lutem, më lër rehat të lutem se jam dhe në spital.
Ndërsa Shehu pranon klienti ka pasur të drejtën e kthimit të produktit dhe të anulimit të kredisë brenda 14 ditëve.
ZËRI: Zonja pretendon që ju e keni manipuluar dhe praktikisht detyruar që të nënshkruajë një kontratë kredi me Iute Credit, duke i premtuar që do të ketë zero përqind interesa dhe zero përqind kamatëvonesa.
Kleant Shehu: Në rregull, shumë e vërtetë është.
Ai shprehet gjithashtu se nëse klienti ka pretendime mund të paraqitet në zyrë, por pasi i komunikohet se kjo gjë ka ndodhur, nuk njeh as faktin që në momentin që i bëhet një denoncim publik, ka detyrimin moral që të japë një përgjigje.
Kleant Shehu: Nëse klienti ka pretendime, mund të vijë në zyrë dhe e sqarojmë.
ZËRI: Politikat e Iute Credit thonë se brenda 14 ditëve
Kleant Shehu:Po
ZËRI: Çdo klient mund të ndryshojë mendje për të kthyer kredinë
Kleant Shehu: Po, patjetër….Po ti kush je se s’po e kuptoj, prokurore, polic….
ZËRI: Unë u prezantova, për sa kohë kam ndjekur këtë çështje dhe kam marrë pretendimin e zonjës.
Kleant Shehu: Nuk të jap llogari ty, s’ke asnjë lloj të drejte.
Në këtë çështje del në skenë sërish emri i menaxherit tjetër, Stiljano Merkohitoj. Në vulën e dokumentave që na u prezantuan nga zonja në fjalë, dallojmë qartë NIPT-in që përkon me atë të kompanisë së regjistruar nga Merkohitoj në vitin 2015. Por këtë herë, ndryshe nga më herët, distributori i Ritellos zgjodhi të bënte sikur nuk dëgjonte çfarë thuhej në krahun tjetër të telefonit.
Stiljano Merkohitoj: Florida…..
ZËRI: Përshëndetje
Stiljano Merkohitoj: Si je…
ZËRI: Me Merkohitojn flas?
Stiljano Merkohitoj: Alo? Alo?
*Mos bini pre e këtyre mashtrimeve, çdo rast të tillë denoncojeni në redaksinë e ZËRI-t, në numrin e celularit: 0692075095