
TIRANË-Avokati i Princ Lekës ka folur mbi situatën e ndodhur ditën e djeshme, ku pretendohet se Princi është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj. Avokati Aranit Roshi ka treguar se si ka ndodhur ngjarja dhe çfarë pritet të ndodhë pas divorcit të çiftit mbretëror.
Avokati tregoi se Princi kishte shkuar të takojë vajzën e tij 3 vjeçare në Pallatin Mbretëror, kur është përballur me sulme verbale dhe fizike nga ish-vjehrri Gjergj Zaharia. Më pas, avokati thotë se edhe Eliza Zaharia është përfshirë duke sulmuar fizikisht Princ Lekën.
“Ai vetë ka zgjedhur që për aq kohë që të finalizohet divorci të mos jetë i pranishëm në banesë, bën vizitat të rregullta për të pasur kontakte me vajzën, për ta ekspozuar vajzën sa më pak të jetë e mundur ndaj efekteve të divorcit. Në këtë vazhdë ka qenë edhe vizita e djeshme. Ka qenë i pranishëm, dhe ka pasur një komunikim aspak të këndshëm me një dhunë verbale me ish-vjehrrin dhe më pas ka degraduar në dhunë fizike”, tha avokati Roshi për Report Tv.
Sa i përket divorcit dhe ndarjes së pasurisë avokati tregon se pasuritë e paluajtshme nuk futen në listën e pasurive që ndahen mes çiftit. Por avokati thekson, se Princ Leka një pasuri të konsiderueshme ka rënë dakord që t’ia kalojë Elias dhe vajzës së tij që t’u sigurojë një jetesë komode.
"Ka dy marrëveshje, janë bërë me akt noterial. Marrëveshja e parë është për zgjidhjen e martesës që është nënshkruar kërkesa dhe depozituar në Gjykatë. Do i nënshtrohet vlerësimit nga gjykata dhe në fund do vendosë ta miratojë duke zgjidhur martesën ligjërisht. Gjykata garanton të drejtat e fëmijës, shikon nëse marrëveshja garanton këto të drejta. Marrëveshja e dytë është një kontratë, ku Princ Leka një pasuri të konsiderueshme ja njeh Elias dhe vajzës së tij që tu sigurojë një jetesë komode. Nuk mendoj që arsyeja dhe konflikti është pasuria. Në të gjitha marrëveshjet ka qenë e asistuar nga njohës të ligjit dhe ajo e ka kuptuar dhe ka qenë në dijeni të pasoja që vijnë. Pasuria e trashëguar nuk hyjnë në atë regjim që ndahen mes bashkëshortëve. Ka qenë vullneti që t’i kalojë këto pasuri te vajza dhe ish-bashkëshortja”, u shpreh avokati.
Aktualisht Princ Leka jeton me qira, ndërsa Eliza Zaharia dhe vajza 3-vjeçare jetojnë në Pallatin Mbretëror. Princi zhvillon vizita të vazhdueshme për të takuar vajzën, ndërsa avokati thekson se pas përfundimit të divorcit Princ Leka do rikthehet sërish në Pallatin Mbretëror.
“Do rikthehet, është larguar për të krijuar komoditet për Elian dhe fëmijën. Ky është qëllimi, nuk është se kemi ndonjë zhveshje nga posedimi. Do kthehet tek shtëpia e tij”, thekson Roshi.
Kriza në çiftin mbretëror shqiptare është thelluar edhe më shumë. Përpos divorcit, Princ Leka dhe Elia Zaharia pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri pasditen e djeshme (5 mars 2024). Leka ka shkuar në komisariat ku ka bërë denoncimin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje. Në komisariat ka qenë edhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia i cili ka denoncuar po ashtu Princin për dhunë. Dyshes i është bërë akt ekspertimi mjekoligjor, ku janë konfirmuar shenja dhune në trupin e Eilas. Si Princi ashtu dhe Elia i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Ndërkohë është publikuar në rrjet sherri mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë që ka degraduar në dhunë fizike.Princ Leka dhe ish-partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth 1 dekade historie dashurie, nga e cila erdhi në jetë Princesha Geraldina II./ZËRI