Aktualitet

'Askush nuk guxon të thotë jo', REL: Punonjësit serbë në Kosovë nën presion për të votuar partinë e Vuçiqit

Një tjetër punonjëse ka thënë se i është kërkuar të plotësojë një formular të SNS-së dhe të sigurojë të dhënat e 30 qytetarëve, për të cilët duhej të garantonte mbështetjen për partinë e Vuçiqit.

M.K.
'Askush nuk guxon të thotë jo', REL: Punonjësit
Zgjedhjet në Serbi

Punonjës të institucioneve që financohen nga Serbia në Kosovë pretendojnë se po përballen me presione për të votuar Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Sipas një raportimi të Radio Evropa e Lirë (REL), kërcënimet për humbjen e vendit të punës dhe kërkesat për të siguruar vota janë ndër praktikat e denoncuara.

Një punonjëse e një institucioni arsimor në një zonë me shumicë serbe ka rrëfyer për REL-in se voton për SNS-në nga frika se mund të humbasë punën. Dëshmia e saj, identiteti i së cilës është mbajtur anonim, mbështetet edhe nga tri burime të tjera.

Sipas saj, drejtuesit e institucioneve u përcjellin punonjësve udhëzime se për kë duhet të votojnë, ndërsa refuzimi mund të sjellë pasoja në punësim. 'Askush nuk guxon të thotë jo', citohet të ketë deklaruar ajo.

Raportimi përfshin edhe pretendime për mbledhjen e votave të sigurta. Një tjetër punonjëse ka thënë se i është kërkuar të plotësojë një formular të SNS-së dhe të sigurojë të dhënat e 30 qytetarëve, për të cilët duhej të garantonte mbështetjen për partinë e Vuçiqit.

Sipas REL-it, votuesit nga Kosova do të organizohen në grupe dhe do të transportohen drejt vendvotimeve në Serbi. Mbi 115 mijë persona me adresa në Kosovë figurojnë në listën e votuesve, ndërsa votimi parashikohet të zhvillohet në 60 qendra në katër komuna serbe pranë kufirit me Kosovën.

Organizata CRTA ka raportuar për pretendime mbi presionin politik ndaj punonjësve në të paktën 16 qytete dhe komuna të Serbisë. Ndërkohë, ODIHR i OSBE-së ka ngritur shqetësime për zbatimin e rekomandimeve që synojnë parandalimin e frikësimit të votuesve.

Partia SNS dhe Lista Serbe nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këto pretendime deri në publikimin e raportimit. SNS-ja ka mohuar akuza të ngjashme në të kaluarën.

Poll

MOS HUMB