Politikë

Asambleja e OKB-së mbledh liderët botërorë në Nju Jork, mes tyre edhe Rama: Takim me presidenten e PE, Roberta Metsola

Në fokus të diskutimeve do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta të momentit, si lufta në Gaza, kriza në Ukrainë dhe situata e tensionuar në Sudan.

M.M
Asambleja e OKB-së mbledh liderët botërorë në Nju Jork,
Edi Rama

New York-  Këtë të diel, në Nju Jork, nis punimet sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të marrin pjesë udhëheqës nga mbarë bota, përfshirë liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Ndër ta, pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në fokus të diskutimeve do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta të momentit, si lufta në Gaza, kriza në Ukrainë dhe situata e tensionuar në Sudan. Axhenda e ngjeshur e sesionit përfshin takime dhe samite të nivelit të lartë, përfshirë një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas pritet gjithashtu të marrin pjesë në takim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian do të udhëhiqet nga Josep Borrell dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilët pritet të promovojnë zgjidhje shumëpalëshe për sfidat globale.

“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”,  thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar se "ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të."

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu ka planifikuar disa takime me homologë gjatë vizitës së tij në Nju Jork, ku do të marrë pjesë edhe në një takim rajonal të organizuar nga shefi në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Gjithashtu, Rama do të zhvillojë një takim të veçantë me presidenten e rizgjedhur të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola./ ZËRI

Poll

MOS HUMB