
TIRANË- Një efektiv policie është vënë në pranga pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje”. Bëhet fjalë për Ergys Zelën, me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas. Në njoftimin zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore bëhet me dije se më datë 4 prill, rreth orës 22:00, Zela është përfshirë në një konflikt me dy kushërinj, pranë një parkimi në Fushë Krujë.
Nuk dihet arsyet e nisjes së sherrit. Zelës, siç bëhet me dije, i është sekuestruar dhe arma e shërbimit 'Glok' së bashku me 12 fishekë. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe një gëzhojë, por nuk dihet nëse Zela ka qëlluar në ajër apo në drejtim të dy kushërinjve. Deri më tani nuk është raportuar për persona të plagosur.
Njoftimi zyrtar:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. Z., me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, i dyshuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”.
Arrestimi i tij u krye pasi me datë 04.04.2025 rreth orës 22:00 pranë një parkimi në Fushë Krujë, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasit A. H. dhe O. H., duke kanosur jetën e tyre.
Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar i ngjashëm me atë të predhës. Gjithashtu nga veprimet e para hetimore, AMP ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të llojit Glok 17 me 12 fishekë.