
ITALI- Marcello Colafigli, një nga bosët më të kërkuar të mafias në Itali, ka rënë në prangat e policisë pas një mega-operacioni, ku autoritetet lëshuan 28 urdhër-arreste për disa persona. Ai ishte një nga personat e fundit të organizatës që kryesisht vepronte në Romë, në zonën e Maglianës dhe në bregdetin e Lacios. Mes 28 urdhër-arresteve të lëshuar nga Prokuroria ka dhe shqiptarë, 2 nga Shqipëria dhe 1 nga Kosova. Po ashtu në listë është dhe një maqedonas. Identitetet e tyre nuk bëhen me dije.
70 vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për katër vrasje, por ishte në gjysmëliri prej datës 30 tetor të 2019. Colafigli dyshohet se ka fituar besimin e një grupi shqiptarësh të përfshirë në një kartel të rëndësishëm kolumbian që vepronte në qytetin Turbo (Kolumbi). Karabinierët e Njësisë Hetimore të Romës kanë grumbulluar prova të rënda rrethanore në lidhje me bashkëpunimin financiar mes shoqatës Colafigli dhe eksponentëve të krimit të organizuar në provincën e Foggia-s, të cilët kishin financuar importimin e 30 kg kokainë nga Kolumbia me çmimin 200.000 euro.
Në këtë drejtim, negocimi nuk pati sukses, pasi një prej bashkëpunëtorëve, i ngarkuar për kryerjen e pagesës me transfertë parash në Kolumbi, i kishte vjedhur paratë në një llogari të dedikuar nga një i afërm i tij, bashkëpunëtor. Nga kjo lindën mosmarrëveshjet, të cilat nuk degjeneruan në veprime të dhunshme. Colafigli dyshohet se ka organizuar një grabitje ndaj një personi të njohur në botë si "pastrues".
Në një përgjim bashkëbiseduesit folën për dërgesën, e cila do të kishte zgjatur rreth 25 ditë dhe kontaktet me ata në port, të cilët, duhet të takoheshin me krimin e organizuar që drejton portin e Napolit. Tridhjetë milionë euro është vlera e kokainës që duhet të kishte mbërritur, e ngjeshur në një anije në portin napolitan. Në përgjimin mjedisor, Brunetti përsëriti kërkesën e tij ndaj Tintit për të lënë një takim për të folur për dyzet milionë euro të shkatërruara që duheshin ndryshuar. Sasia e madhe e parave për t'u investuar në operacion i përkiste Colafigli-t, i cili i kishte fshehur në disa kuti para se të përfundonte në burg dhe që kur doli nga burgu i kishte gjetur të shkatërruara dhe duheshin ndërruar./ZËRI