GREQI- Alesio Biba, një 22-vjeçar shqiptar është vënë në pranga pasi akuzohet se ka marrë pjesë në një atentat të ndodhur më 13 korrik në Athinë. Mediat greke shkruajnë se arrestimi i shqiptarit u bë në momentin që ai u ndalua për kontroll nga efektivët gjatë orëne të natës së kaluar.
22-vjeçari Biba nga Vau i Dejës rezulton se kishte marrë urdhra nga një turk të identifikuar si Suleyman Dalgic për të kryer atentatin e ndodhur në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos” në Athinë. Nga të shtënat mbeti i plagosur 48-vjeçari turk Volkan Ertas dhe polici grek Dh. P, bashkëshorti i pronares së lokalit.
Biba, në momentin që u ndalua nga efketivët grekë, ka hedhur në tokë dhe ka thyer celularin e tij, por gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua arma me të cilën kishte bërë atentatin, 1 pistoletë “Grand Poëer MK7” me një krehër me 15 fishekë, 1 krehër pa fishekë, 29 fishekë, 1 fishek “Luger”, 1 celular “Samsung”, 4 paketa të katër numrave celularë, 1 letër A4 me udhëzime për GPS Tracker makinash dhe 1 kartë SIM.
Gjatë marrjes në pyetje, Biba ka deklaruar se kishte qëllim vetëm që ta plagoste Volkan Ertas.
Nga ana tjetër, Suleyman Dalgic, ndodhet në burgun e Larisas, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 6 personave turq në tetor 2023 në Artemida të Greqisë. Të gjithë ishin pjesë e grupit kriminal mafioz “Daltons” në Turqi, rivalët e Dalgic.