
TIRANË- Prokuroria e Posaçme mohon që të ketë pasur ndonjë operacion gjatë natës, për të shoqëruar persona të tjerë që janë përfshirë në aferën e inceneratorëve. Në një reagim për mediat, nga ana e SPAK, thuhet se raportime të tilla dëmtojnë punën e Prokurorisë.
“SPAK po vijon një sërë hetimesh për të luftuar korrupsionin dhe mbrojtjen e publikut. Nuk ka pasur asnjë operacion brenda natës dhe ju kërkojmë me mirësjellje të shmangin spekulimet që mund të dëmtojnë punën tonë.
Në momentin që do të kemi njoftime për të ndarë me median padyshim do të viheni në dijeni.
Gjithë të mirat!”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit për mediat. Gjatë ditës së djeshme, dhe mëngjesit të sotëm, pati raportime se Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 20 masa të reja sigurie për çështjen e inceneratorëve. Por duket se vetë SPAK, e mohon tashmë atë që gazetarët dhe mediat e kishin mësuar përmes burimeve të tyre.
Në fillim të dhjejtorit të vitit të kaluar, SPAK lëshoi 15 urdhër-arrestet e para për inceneratorin e Tiranës, ku mes tyre ishin Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të cilët ndodheshin në burg, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët vijojnë të jenë ende në kërkim, si dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha./ZËRI