
TIRANË- Gjykata e Tiranës shpalli të enjten fajtor Arlind Gjokutajn, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, duke e dënuar për shpërdorim detyre. Prokurori Ndini Tavani kërkoi dënimin e tij me dy vite burg, kërkesë që u pranua nga gjykata. Megjithatë, dënimi me burg u pezullua dhe Gjokutaj do të jetë në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
Gjokutaj, i cili u emërua në këtë post në tetor të vitit 2021 dhe ka pasur pozicione të rëndësishme si drejtori i Doganave dhe në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, u akuzua për përfshirje në një skemë që shkaktoi një humbje prej 145.8 milionë lekësh për buxhetin e shtetit. Sipas akuzave, ai bashkëpunoi me kreun e shërbimeve mbështetëse, Fatmir Hoxha, dhe përmbaruesin gjyqësor, Alban Ruli, duke i lejuar shtetasit Ilir Thana të marrë një shpërblim të padrejtë, duke e trajtuar atë si pronar të një prone, status që nuk e ka pasur kurrë.
Sipas hetimeve, në vitin 2015, Ministria e Financave kishte zbatuar një vendim të gjykatës për të kompensuar Ilir Thanën për një pronë të blerë në vitin 1992, por më pas Thana arriti të përfitonte një shpërblim të dytë prej 145.8 milionë lekësh nëpërmjet një përmbaruesi të tretë. Gjokutaj nënshkroi urdhrin për pagesën e kësaj shume, megjithëse ishte paralajmëruar nga zyrtarët e ministrisë se vendimi i Apelit ishte ekzekutuar tashmë dhe se pagesa e re ishte e paligjshme./ ZËRI