TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi të shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Vendimi është marrë në kuadër të një procedimi pasuror, pasi nga hetimet ka rezultuar se pasuritë e identifikuara nuk justifikoheshin me të ardhurat e ligjshme të të dënuarit dhe familjarëve të tij.
Sipas Prokurorisë, të ardhurat e deklaruara nga A.A. dhe familjarët e tij nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet personale dhe investimet e kryera në pasuri të paluajtshme.
Njoftimi i Prokurorisë:
Dy apartamente, përkatësisht 1+1 dhe 2+1 dhe një garazh, u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në kuadër të procedimit pasuror nr.02, të vitit 2026 ndaj shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burgim për veprën penale të ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’.
Nga hetimet rezultoi se të ardhurat e faktuara të shtetasit A.A. dhe familjarëve të tij, nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet vetjake dhe investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Shtetasi në fjalë ka qenë në pamundësi financiare për të kryer investimet në prona.
Nga konkluzionet e arritura në aktin e ekspertimit kontabël dhe nga dokumentacioni i administruar, rezulton se pasuritë e identifikuara dhe të zotëruara nga subjektet e këtij procedimi pasuror plotësojnë kriteret e parashikuara nga nenet 11 dhe 24 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, për sekuestrimin dhe/ose konfiskimin e tyre, pasi konstatohet se ekziston një disproporcion i dukshëm ndërmjet pasurive të identifikuara dhe të ardhurave të ligjshme të deklaruara, të cilat nuk janë të mjaftueshme për t’i justifikuar ato.
Nga sa më lart, duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimit pasuror të kryer në lidhje me shtetasin A.A. dhe të afërmit e tij, rezulton e provuar ky shtetas ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, vepër penale e cila bën pjesë në veprat e parashikuara nga ligji nr. 10192. Nga kjo veprimtari rezulton se janë krijuar pasuri shpërpjestimore në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara, të cilat nuk përligjen prej tyre. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë e mëposhtme:
a. Pasuria e paluajtshme e llojit “Apartament” 1+1, me sipërfaqe 66.33 m², si dhe verandën me sipërfaqe 44 m², në kompleksin multifunksional në Rrugën “Xhanfize Keko”; dhe
b. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament 2+1, me sipërfaqe 87.9 m² dhe garazhin me sipërfaqe 16 m², në katin -2, në kompleksin multifunksional që po ndërtohet në Rrugën “Kahreman Ylli”.