
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë, nga operacioni i ndërmarrë nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Tiranës, që çdoi në pranga 4 persona. Bëhet fjalë për shtetasit Gazmend Hoxha, Saimir Gerbaj, Aleksander Kili dhe Orgest Beqo. Ata u kapën në rrugën “Kasem Shima”, dhe në automjetin tip “Benz” u gjetën dhe sekuestruan 2 çanta të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 19.30 kg.
Mësohet se ky grup kriminal, ishte i përfshirë prej kohësh në shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht në zonë të ndryshme të kryeqytetit. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se kanabisi i sekuestruar ishte kultivuar përmes llampave në shtëpi bari.
Vlera në treg e 1 kilogrami kanabis të sekuestruar kapte shifrën e 2 mijë eurove. Dyshohet se kanabisi është kultivuar në një shtëpi bari në jug të vendit, ndërsa antidroga, është duke hetuar për zbulimin e vendndodhjes së saj, por edhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Grupi në momentin që sillte lëndën narkotike në kryeqytet ndaheshin në dy automjete, njëra hapte rrugën dhe kontrollonte nëse ka apo jo prezencë të policisë dhe mjeti i dytë kishte në bagazh kanabisin, që më pas shitej te persona të tjerë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Aleksander Kilit, shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi. Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë njëri prej personave të arrestuar, shtetasi Gazmend Hoxha, ka kundërshtuar policinë gjatë aksionit./ZËRI