
BRITANI E MADHE- Policia angleze ka dalë në përfundimin se bandat shqiptare tpo dominojnë tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur çmimet e ulta dhe dhunën ndaj kundërshtarëve. "Kingpins" (personi më i rëndësishëm, më autoritar ose thelbësor në një grup) nga shteti ballkanik thuhet se kanë përdorur lidhje të drejtpërdrejta me kartelet kolumbiane për të siguruar kokainën me vlerën më të mirë, duke i lejuar ata të fitojnë terren ndaj bandave britanike.
Por ndërsa ky model ka pasur sukses në qytetet kryesore si Londra dhe Birmingham, ky nuk është rasti kudo. Liverpooli shquhet si një nga zonat e pakta që gangsterët shqiptarë nuk janë në gjendje të veprojnë. Kjo sepse sipas ekspertëve në atë qytet, tregëtia e drogës është në duar të kriminelëve vendas që kanë lidhje shumë të forta në komunitet.
Por dominimi në rritje i bandave shqiptare është identifikuar në një seri studimesh zyrtare - duke përfshirë një raport të OKB-së të vitit 2023, i cili zbuloi se bandat nga vendi tani 'ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm' mbi tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Vitin e kaluar, një dokument ligjor i zbuluar nga Home Office përshkruan bandat kriminale shqiptare si një 'kërcënim akut' për MB. Hulumtimi i Agjencisë Kombëtare të Krimit ka treguar se grupet e krimit të organizuar nga shqiptarët kontrollojnë tregun e kokainës në të gjithë qytetin kryesor dhe zonat periferike të Anglisë. Por NCA, ndryshe nga raportet e tjera pretendon se shqiptarët po fokusohen tek kultivimi i kanabisit, drogë që shihet me rrezikshmëri të ulët.
Por pse bandat shqiptare e kanë pasur të vështirë që të futen në Liverpool?
Ekspertët përmendën një numër arsyesh, duke përfshirë kontrollin që kanë mbi territor Curtis Warren dhe firma "Huyton". Madje kanë në kontroll total edhe dërgesat që vijnë nga porti i qytetit. Peter ëalsh, autor i Drug war: The Secret History, beson se përgjigjia gjendet duke vëzhguar mënyrën sesi bandat ballkanike depërtuan fillimisht në botën e krimit të Britanisë.
“Shqiptarët u bënë një forcë në Evropë gjatë viteve 1990. Ata krijuan lidhje me kolumbianët që eksportonin kokainë në Evropë përmes korsive kryesore të transportit. Duke negociuar drejtpërdrejt me furnitorët, shqiptarët mundën të anashkalonin bandat më të vendosura në Evropë. Por më e rëndësishmja, ata e shitën drogën me çmime më të ulëta se grupet ekzistuese, gjë që u dha atyre një avantazh "në lojë". Shqiptarët lulëzuan në Londrën e Madhe, e cila ka larmishmëri racore. Më pas ata u zgjeruan në qarqet e tyre edhe drejt Birminghamit. Liverpool-in nuk e kanë nën kontroll sepse është një qytet lokal, me bazë klanore. Furnizimi me drogë në Liverpool ka qenë gjithmonë i dominuar nga grupe të njohura kriminale që kanë lidhje të forta mes komunitetit. Në këtë terren do të binin në sy dhe do të raportoheshin në Polici. Po ashtu, Liverpooli është një qytet ku grupet e jashtme të krimit hezitojnë të hyjnë nga frika e dhunës”.
Një ish-detektiv që shërbeu në Scotland Yard për dekada i tha MailOnline se bandat shqiptare të drogës u bënë një problem në fillim të viteve 2000. Ish-shefi i lartë, i cili kërkoi të mos përmendet emri, tha: FBI erdhi në Scotland Yard për të na paralajmëruar për kërcënimin e veçantë që paraqet për Britaninë e Madhe nga grupet e krimit shqiptare. Zyrtarët amerikanë na thanë se shqiptarët ishin të përgatitur të përdornin një nivel të egër dhune që nuk ishte parë më parë në Angli. Unë do t'i përshkruaja grupet e krimit shqiptarë me të cilët u përballëm si veçanërisht të neveritshëm dhe të egër.
Pavarësisht se nuk arriti të depërtonte në Liverpool, ai tha se bandat shqiptare tani i kishin përhapur tentakulat e tyre në vende të tjera, madje edhe në Australi./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga Dailymail