
TIRANË- Altin Çoku ka mohuar se ka qenë ai personi që i ka nxjerrë foton intime 27-vjeçares Sibela Abedini, imazh që e çoi të renë drejt vetëvrasjes. Nga kafazi prej xhami, 39-vjeçari ftoi autoritetet që të kontrollonin celularin e të ndjerës për të kuptuar se kush ia ka nxjerrë foton.
“E kanë nxjerrë shtetas të tjerë foton. Keni mesazhet në telefonin e vajzës. I shpreh ngushëllimet e mia familjes,"- tha Çoku.
Abedini u hodh nga kati i katërt i pallatit ku jetonte në Kamëz. Ajo la pas një fëmijë. 27-vjeçarja ishte në process divorci me bashkëshortin nga Kosova dhe ishte kthyer pranë familjes së saj, e cila sot kërkon drejtësi. Në rast se Çoku nuk dënoihet për vetëvrasjen e vajzës së tyre, ata janë zotuar se do të bëjnë vetëgjyqësi.
Altin Çoku është një personazh i njohur në Tik Tok dhe jo vetëm. Policia po e heton edhe për shantazh ndaj një tjetër vajze në Laç, me të cilën kishte gjithashtu foto intime. Altin Çoku, ka qenë i përfshirë edhe më herët në ngjarje kriminale, por ka shpëtuar, pasi është klasifikuar si person që vuan nga problemet të shëndetit mendor. Ai ka tentuar të djegë kushëririn e tij, djalin e dajës, për shkak se motra e të miturit ishte ndarë prej tij. 39-vjeçari ka qenë i dënuar edhe për kërcënimet me jetë ndaj mjekut të tij psikiatër.
Psikiatrit Gëzimi S., Altin Çoku i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar para. Të njëjtën gjë ka bërë edhe duke i ushtruar presion përmes telefonatave dhe mesazheve të vazhdueshme.
“Tani gjej ku te dush 1000 euro deri neser ose kam me vra kush te me dali para, o un o ti gjall pastaj”, thuhet në një prej mesazheve.
Në këtë mënyrë, Çoku ka arritur që t’i marrë 4 mijë euro psikiatrit. Përmes videove që publikonte, Çoku kërcënonte me vrasje një tjetër personazh të rrjeteve sociale, Kozak Braçi. Sipas një akt ekspertize, Altin Çoku prezanton tipare të personalitetit narcistik, pa crregullime të mendimit, gjykimit, konjicionit apo kujtesës, dhe ka aftësi të mira për ta ruajtur dhe përdorur informacionin, por pavarësisht gjithçkaje ishte lënë i lirë deri kur pak ditë më parë shkaktoi edhe vetëvrasjen e Abedinit.