Aktualitet

Aksioni në Babicë/ Balla takim me policët në Vlorë, POROSIA: Të godasim krimin e organizuar

Balla gjithashtu kërkoi të intensifikohet puna parandaluese.

a.l
Aksioni në Babicë/ Balla takim me policët në Vlorë,
Taulant Balla takim me policët në Vlorë

VLORË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar pasditen e kësaj të premteje një vizitë falenderuese në DVP Vlorë, për të përgëzuar uniformat blu pas suksesit të operacionit në Babicë, ku u gjet një arsenal armësh dhe u kap një kontigjen krimi, i identifikuar me emrin Luçiano (Albano) Deraj.

“Sa herë që kemi një punë të suksesshme edhe unë nuk dua të mungoj për t’ju uruar personalisht. Gjej rastin të falënderoj Ermalin, por mbi të gjitha secilin prej jush edhe këtë harmonizimin e punës që kemi pasur midis të gjitha skuadrave”, tha ai. 

Balla gjithashtu kërkoi të intensifikohet puna parandaluese, ndërsa la si porosi goditjen e krimit të organizuar. 

“Skuadra e Drejtorisë Vendore qoftë me Forcën Operacionale, qoftë me Sektorin e Krimeve, qoftë me “Shqiponjën” dhe mbi të gjitha pastaj dhe me RENEA-n. Jeni bërë një ekip dhe duhet të vazhdojmë të intensifikojmë gjithë forcën tonë parandaluese këtu në Vlorë, e cila është përgjegjësia juaj dhe këtë gjë e them kudo në Shqipëri për të mos lejuar që grupet kriminale të rikthejnë pasigurinë dhe padyshim që t’i dalin përpara çdo lloj forme të krimit dhe goditja e fenomenit të armëmbajtjes pa leje është një prej objektivave tona të rëndësishme”, u shpreh ministri.

Operacioni "Knock Out 6" 

Një depo armatimi u zbulua paraditen e së enjtes 7 mars 2024 në një banesë në fshatin Babicë në Vlorë. Snajper, pjesë përbërëse të armëve luftarake, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi optike vëzhgimi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme janë zbuluar nga policia në operacionin e koduar ‘Knock Out 6’. Mes armaturës nuk mungon edhe një pistoletë stilolaps me 20 fishekë. Gjatë aksionit është arrestuar Luçiano (Albano) Deraj i cili dyshohet se është i lidhur me grupet kriminale. 35-vjeçari u prangos ndërsa ishte në dhomën e gjumit, i shtrirë në krevat, por dyshohet se të tjerë persona janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal pasi baza e armëve shërbente si strehë për të furnizuar me armë eksponentë të krimit. Armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize teknike, biologjike dhe balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse armët e zjarrit janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale./ZËRI

ZERI POLL

Ku do t'i kaloni pushimet për këtë verë?

  • Në Shqipëri
  • Do udhëtoj jashtë vendit
  • Jam i/e pavendosur
  • Nuk do të bëj fare pushime

MOS HUMB