GREQI-Një aksident i rëndë me tre viktima është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Glyfada të Athinës. Mediat greke raportojnë se viktimat janë tre të rinj nga Fieri të moshës 18, 23 dhe 26 vjeç. Si pasojë e aksidentit edhe dy pasagjerë janë plagosur rëndë, ndërsa ndodhen në gjendje kritike në spitalin "Asklipio" të Voulës, duke luftuar për jetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous. Automjeti me pesë të rinjtë brenda ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një hoteli. Një klient i hotelit, që ndodhej në vendin ku ndodhi aksidenti, tha se u ngrit me vrull nga shtrati rreth orës 2 të mëngjesit dhe doli në ballkon.
"Dëgjuam një zhurmë të fortë, një përplasje të fuqishme. Dola në ballkon për të parë se çfarë kishte ndodhur; kishte vetëm tym, pluhur dhe, në një moment, motori i makinës u shkëput nga automjeti dhe po digjej më vete," tregoi ai.
Televizioni grek MEGA raporton se një nga pistat që po hetohet është ajo e një gare shpejtësie me një automjet tjetër. Një tjetër dyshim i ngritur nga mediat greke është se të rinjtë mund të kenë qenë duke regjistruar një video për TikTok në momentin e aksidentit, madje nuk përjashtohet mundësia që kamera të ketë kapur edhe çastet e përplasjes.
Megjithatë, deri tani policia greke nuk ka gjetur prova që të vërtetojnë se në ngjarje ka qenë i përfshirë edhe një automjet tjetër.