
TIRANË- Seanca ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji është shtyrë sërish edhe sot. Shkak për shtyrjen e vendimit të sotëm u bë mungesa e avokatit të Jetmir Olldashit, i cili pretendoi se nuk mund të ishte pjesë e seancës së sotme për arsye shëndetësore. Duke marrë parasysh kërkesën e avokatit Indrit Sefa, Gjykata e Apelit vendosi të shtyjë takimin e radhës për në datën 22 maj, në orën 10.00.
Por vendimi i Gjykatës është kundërshtuar nga Ardian Visha, avokati i cili po mbron Geron Xhafën, i cili kërkoi që për palën e akuzuar të caktohej një avokat kryesisht, pasi kështu po zvarritej procesi gjyqësor. Në pretendimin e tij, Visha kujtoi se vetëm një seancë më parë, për arsye shëndetësore mungoi edhe avokati i deputetit Salianji.
"Tregues nuk është vetëm koecidenca e sëmundjes së avokatëve, por edhe mungesa e të gjithë Asamblit të deputetëve që gjithmonë vijnë në seancë! Nuk është rasti që kur sëmuret avokati mungon edhe i pandehuri. Duhet të caktohet avokati kryesisht,"- tha Visha.
Ç’është dosja Babale?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit. Për dosjen, Salianji u dënua me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi./ZËRI