
TIRANË- Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për mediat, është pyetur në lidhje me fshehjen e ngjarjes, ku burri i ministres Delina Ibrahimaj, plagosi drejtorin e kredive në Ministrinë e Financnave. Vocaj tha se nga strukturat e policisë janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme, pavarësisht se blutë kanë dështuar në kapjen e autorit të plagosjes, që ishte pikërisht burri i ministres.
“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapte menjëherë autori i kësaj ngjarje. Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje”, tha ai.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Nëntor të vitit të kaluar, ku prokuroria vendosi pushimin e hetimeve në ngarkim të bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj.