
VLORË- Punonjësit e aeroportit të Vlorës kanë ndërprerë punimet për shkak se nuk kanë marrë pagat. Sipas punonjësve ata nuk kanë marrë asnjë pagë prej 6-7 muajsh.
“Një muaj dhe nuk shkon ajo, lëre më 6-7 muaj. Cili rri 6 muaj? Asnjëri”, kanë thënë ata.
"Drejtuesit duhet të dinë gjendjen që po kalojmë dhe mos ta marrin me të tallur. Nuk shtyhet më me fjalë, hë se do e rregullojmë, hë se do e rregullojmë, punëtorët nuk vijnë më në punë. Unë nuk bëj shaka, ti je autoritari ku ne të kërkojmë llogari ty dhe ti i kërkon llogari atyre më lart, ne duam një gjë të saktë për punën e pagesave", u shpreh një nga protestuesit.
Mësohet se protesta është zhvilluar në mëngjes dhe më pas punonjësit janë takuar me përgjegjësit e firmës, të cilët i kanë lajmëruar se pagat do t’u kalojnë ditën e premte. Pas takimit me punëtorët, aeroporti i Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar. Sipas komunikimit zyrtar,p unimet në kantierin e aeroportit të Vlorës vijojnë normalisht. Sipas tyre, në kantierin e punës ka pasur disa momarrëveshje mes një nënkontraktori dhe punonjësve të tij.
"Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në kantierin e aeroportit. Ne sigurojmë publikun dhe të gjithë aktorët e përfshirë që projekti i Aeroportit të Vlorës do të vazhdojë të ecë përpara sipas planit dhe që ne jemi të angazhuar për përfundimin e tij në kohë dhe në përputhje me standardet më të larta,"-shkruhet ndër të tjera në komunikatën zyrtare.
Komunikata e Aeroportit të Vlorës:
Në përgjigje të artikullit të publikuar së fundmi me titullin “Nuk na japin rrogat”/ Pezullohen punimet në aeroportin e Vlorës, punonjësit bllokojnë kantierin, dëshirojmë të sqarojmë dhe të informojmë publikun për situatën e vërtetë në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës po vijojnë plotësisht në normalitet dhe nuk ka pasur asnjë pezullim të tyre. Projekti vazhdon sipas planeve dhe afateve të përcaktuara, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës. Disa mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specific dhe një grup të vogël punonjësish të tij, të cilët kanë shprehur ca shqetësime në lidhje me pagat e tyre. Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në kantierin e aeroportit. Ne sigurojmë publikun dhe të gjithë aktorët e përfshirë që projekti i Aeroportit të Vlorës do të vazhdojë të ecë përpara sipas planit dhe që ne jemi të angazhuar për përfundimin e tij në kohë dhe në përputhje me standardet më të larta. Falënderojmë të gjithë për mirëkuptimin dhe ju ftojmë të mos ndikoheni nga lajme të pavërteta apo spekulative. Për çdo pyetje shtesë, jeni të lutur të na kontaktoni në adresat tona zyrtare.
Pavarësisht reagimit zyrtar, punonjësit kanë paralajmëruar se nëse pagat nuk do t’iu kalojnë të premten ata do të pezullojnë sërish punimet dhe do të mbajnë një tjetër protestë./ZËRI